Kampionati Botëror i Teqball 2021 dhe rrugëtimi drejt njohjes olimpike, një raport nga CNN
Sporti i Teqball ka tërhequr sërish vëmendjen e një nga mediave më të ndjekura në botë, CNN. Kësaj here, media amerikane ka bërë një raport të detajuar mbi eventin më të fundit të FITEQ, që ishte Kampionati Botëror organizuar në 8-11 dhjetor 2021 në Gliwice, Poloni.
Kampionati Botëror, siç raporton CNN, ka patur një ndikim direkt tek njohja e sportit të Teqball dhe misionit të tij olimpik, teksa ky event 4-ditorësh ka mbledhur mbi 1500 njerëz në arenën Gliwice për të ndjekur ndeshje emocionuese me cilësi teknike të lartë në 5 kategori: formati Single për femra dhe meshkuj, si dhe formati Double për femra, meshkuj dhe mikse.
“Sporti po shkon drejt qëllimit të tij për t’u përfshirë në Lojërat Olimpike të 2028-ës dhe konkurrenca po nxehet pasi atletët kanë filluar ta çojnë lojën e tyre Teq në një nivel tjetër.”
Më tej, CNN flet dhe për Efektin Teq, që mund të përkufizohet si kurioziteti që çdo person që zbulon këtë sport për herë të parë përjeton teksa vëzhgon bukurinë e tavolinës, si dhe kompleksitetin e rregullave dhe aftësitë e lojtarëve për të shkëmbyer topa me saktësi, zhdërvjelltësi dhe në mënyrë strategjike.
Një tjetër fakt që ka kapur vëmendjen e mediave si CNN ka qenë prezenca e femrave në këtë event. Finalja Double e femrave mes SHBA-së dhe Brazilit ka bërë xhiron e rrjetit, jo vetëm sepse çdo përballje sportive midis këtyre shteteve garanton një spektakël, por sepse u vu re që sporti i Teqball po tërheq gjithmonë e më shumë talente femra dhe niveli i lojës është rritur ndjeshëm, gjë që konfirmon ambiciet e FITEQ për rrugëtimin olimpik.
Carolyn Greco e SHBA-së mundi kampionen braziliane Natalia Guitler për vendin e tretë në garën Single një ditë para finales së madhe, por Brazili kishte në mendje fitoren pasi Guitler dhe partnerja e saj Rafaella Fontes mundën Greco dhe Margaret Osmundson në tre sete intensive për medaljen e artë në kategorinë Double.
Guitler është ish-kampionia e botës në kategorinë Double mikse dhe femra më e njohur në Teqball deri më sot. Osmundson dhe Greco themeluan klubin e parë në botë të Teqball, i përbërë tërësisht nga femra në Los Anxhelos, i quajtur BellaTeq. Ato thanë se do të kthehen menjëherë në punë pasi të kthehen në shtëpi dhe Greco shtoi se fokusi i tyre do të jetë në vazhdimin e hapjes së rrugës për atletet femra të Teqball në të gjithë botën.
Vizioni për të ardhmen e Teqball
CNN e mbyll artikullin duke vënë në dukje faktin se Teqball është relativisht i ri — vetëm shtatë vjeç — dhe se po sheh rritje të jashtëzakonshme në të gjithë globin, teksa tanimë numërohen mijëra atletë që luajnë në 118 vende. Rritja e vëzhguar në Kaliforni dhe në të gjithë Shtetet e Bashkuara në dy vitet e fundit është një shenjë pozitive që sporti po shkon në drejtimin e duhur. Kujtojmë se FITEQ synon të përfshijë Teqballin në Lojërat Olimpike Los Anxhelos 2028.